Menaxhimi i emergjencave

Menaxhimi i fatkeqësive dhe krizave është njëri nga funksionet themelore të Kryqit të Kuq të Kosovës në rolin e tij si ndihmës i autoriteteve publike në fushën humanitare, për të shpëtuar jetë dhe për t’u ndihmuar njerëzve të goditur nga fatkeqësitë natyrore ose atyre të shkaktuara nga dora e njeriut, krizat, epidemitë dhe pandemitë, në mënyrë që të ulet cenueshmëria e njerëzve ndaj rreziqeve të pritshme. Është tashmë domosdoshmëri që Kryqi i Kuq i Kosovës, i mbështetur nga Lëvizja dhe partnerët e tjerë, ta bëjë të mundur ndërtimin e komuniteteve të sigurta dhe të afta për t’i përballuar katastrofat dhe ta mundësojë reagimin e duhur dhe në kohën e duhur ndaj fatkeqësive dhe krizave. Për më tepër, për shkak të ndryshimeve klimatike, Kryqi i Kuq i Kosovës do të përballet me operacione më të shumta e më të gjera dhe me katastrofa të natyrave të ndryshme, për çka do të nevojitet rritja e kapaciteteve. Aktivitetet e zvogëlimit të rrezikut nga fatkeqësitë dhe procedurat e paralajmërimit të hershëm kanë nevojë të përshtaten me kërcënimet e reja, duke përfshirë nevojën për t’ua komunikuar ato në mënyrë më efektive popullatës së rrezikuar dhe për t’i përballuar fatkeqësitë që po bëhen më të shpeshta, më të forta dhe më të panjohura. Komuniteti dhe njerëzit në nevojë mbeten në fokus të punës së Kryqit të Kuq të Kosovës. Tejkalimi i pabarazisë dhe trajtimi i cenueshmërisë kërkon qasje të shumëfishtë dhe të sigurt, të koordinuar mirë dhe të integruar në ofrimin e shërbimeve të parandalimit, reagimit, rimëkëmbjes dhe rivënies së lidhjeve familjare. Ky qëllimi strategjik e identifikon rolin
plotësues të Kryqit të Kuq të Kosovës për ta vazhduar mbështetjen e autoriteteve publike, komuniteteve dhe organizatave të tjera për t’i lehtësuar vuajtjet e popullatës të prekur ngafatkeqësitë dhe krizat.