Shëndetësia

Kryqi i Kuq i Kosovës është duke e vazhduar forcimin e kapaciteteve të saj në mënyrë sistematike në programet e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale për t’i identifikuar dhe për t’iu përgjigjur nevojave elementare të popullsisë.

Strukturat shëndetësore dhe mirëqenia sociale në Kosovë nuk mund të sigurojnë shërbime shëndetësore të mjaftueshme për të gjithë, ndërsa problemi më i madh është në zonat rurale. Veç kësaj, një pjesë e madhe e popullsisë nuk i ka informacionet e duhura për shërbimet shëndetësore. Qasja në shërbimet më të specializuara është edhe më e vështirë në mbarë vendin, ndërsa kualiteti i shërbimeve është i pamjaftueshëm. Shkaqet e nevojave shëndetësore dhe sociale të popullsisë janë të shumëfishta dhe përfshijnë mungesën e ujit të pijshëm, problemet psikosociale, të ushqyerit e dobët, përdorimin e kufizuar të shërbimeve ekzistuese të kujdesit shëndetësor dhe nivelin e pamjaftueshëm të promovimit dhe edukimit shëndetësor.

Me qëllim të rritjes së njohurive dhe qasjes në informatat e duhura themelore shëndetësore për shëndetin dhe kujdesin, promovimin dhe edukimin shëndetësor, është i nevojshëm edukimi dhe aftësimi për ofrimin e ndihmës së parë si dhe promovimi i dhurimit vullnetar të gjakut dhe çështjeve të tjera shëndetësore të familjes.

Aktivitetet tona shëndetësore kanë për qëllim avancimin e shëndetit të popullatës përmes aktiviteteve që e promovojnë shëndetin dhe përmes ofrimit të shërbimeve në komunitet, të gjitha në shërbim të një qëllimi kryesor: zvogëlimit të rasteve të vdekjeve dhe sëmundjeve dhe zbutjes së ndikimit të sëmundjeve në emergjenca të shëndetit publik.