Kush jemi ne?

Kryqi i Kuq i Kosovës është shoqata më e vjetër humanitare në Republikën e Kosovës, e themeluar në vitin 1945. Kryqi i Kuq i Kosovës ka qenë pjesë e barabartë në ish-Jugosllavi deri në vitin 1991. Gjatë periudhës 1991-1999 është suprimuar nga Qeveria e Serbisë. Pavarësisht suspendimit të dhunshëm, Kryqi i Kuq i Kosovës vazhdoi t’i ofrojë ndihmë, me kapacitete të limituara, popullatës në nevojë. Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, Kryqi i Kuq i Kosovës e vazhdoi punën duke i konsoliduar strukturat dhe funksionet e veta në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kryqi i Kuq i Kosovës është e vetmja shoqatë kombëtare në Republikën e Kosovës e cila zhvillon programe dhe veprimtari brenda kornizave të përcaktuara me Ligjin Nr. 03/L-179 për Kryqin e Kuq të Republikës së Kosovës si dhe rregullave dhe rregulloreve të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Republika e Kosovës e njeh Kryqin e Kuq të Kosovës si shoqatë kombëtare autonome e cila punon për të mirën publike, si ndihmëse e autoriteteve të angazhuara në sferën humanitare. Kryqi i Kuq i Kosovës i respekton dhe udhëhiqet në veprimtarinë e vet nga Parimet Themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq/Gjysmëhënës së Kuqe dhe të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare. Kryqi i Kuq i Kosovës e ka dëshmuar aftësinë për organizimin e operacioneve të ndihmës humanitare gjatë krizave dhe fatkeqësive që kanë ndodhur në Kosovë dhe në rajon, duke i mbështetur njerëzit në nevojë. Kryqi i Kuq i Kosovës është aktiv në ofrimin e mbështetjes sociale dhe shëndetësore për komunitetet në nevojë, duke kontribuar në reduktimin e cenueshmërisë. KKK vazhdon të angazhohet për t’i përcjellë shqetësimet dhe interesat e njerëzve në nevojë pranë autoriteteve vendimmarrëse. Ne e kemi zhvilluar shoqatën tonë kombëtare duke e rritur praninë e saj brenda vendit. E kemi ndërtuar dhe zgjeruar rrjetin tonë të vullnetarëve, e kemi ngritur nivelin e transparencës dhe e kemi forcuar përgjegjshmërinë, duke arritur kështu që të jemi sa më pranë njerëzve në nevojë. Për ta rritur efektivitetin e shërbimeve tona, ne kemi punuar vazhdimisht për krijimin epartneriteteve të qëndrueshme dhe për zgjerimin e bashkëpunimit. Përpjekjet tona të përbashkëta për bashkëpunim kanë pasur ndikim pozitiv në jetën e njerëzve në nevojë, prandaj synojmë ta zgjerojmë bashkëpunimin dhe ta tërheqim më shumë vëmendjen kah nevojat humanitare dhe ndikimi në zhvillimin e vendit.

KU NDODHEMI?

Kryqi i Kuq i Kosovës, me zyrën qendrore në Prishtinë, numëron 26 degë. Ne kemi arritur nivel të mirë të zhvillimit, duke u bërë shoqata më e madhe humanitare në vend. Falë vullnetarëve tanë, shoqata është gjithmonë e pranishme aty ku nevojitet ndihma humanitare, pranë njerëzve të thjeshtë, pranë familjeve në nevojë apo pranë komuniteteve të prekura nga fatkeqësitë natyrore, të cilët te Kryqi i Kuq i Kosovës e shohin shpresën për lehtësimin e vuajtjeve.

VIZIONI

Të bashkuar për të mirën e humanizmit, ne krijojmë të ardhme më të mirë.

MISIONI

Duke e fuqizuar veprimtarinë humanitare, Kryqi i Kuq i Kosovës, si ndihmës i autoriteteve, është i përkushtuar të veprojë në mënyrë proaktive dhe në kohë në përkrahje të komuniteteve më në nevojë, për ta ruajtur dinjitetin dhe angazhimin e tyre në zbutjen e vuajtjeve, duke ndërtuar
qëndrueshmëri dhe duke i promovuar vlerat humanitare në pajtim me parimet themelore të Lëvizjes së KK/GJK.